Tetë ujq ia sulmuan qenin

Një mbrëmje, kur lajmet duhej të nisnin në RTK, ai dëgjoi zhurmë jashtë dhe doli për të parë se ujqit po ia sulmonin qenin. “Kurrë ma herët nuk kam pa numër kaq të madh të ujqve te dera e shtëpisë”, thotë ai. Në mbrëmjen me borë të 26 janarit, rreth orës 19:30, derisa përgatitej të dëgjonte lajmet e ditës në Radio Televizionin e Kosovës, Florim Tahirit (35) ujqit ia sulmuan qenin, rojtarin besnik në oborrin shtëpisë së tij. “Dëgjova zëra jashtë shtëpisë”, tregon ai. “Kur dola, ishin kanë tetë ujq tu e sulmu qenin”. “Nuk disha as çka me ba, kurrë ma herët nuk kam pa numër kaq të madh të ujqve te dera e shtëpisë në këtë kohë. Me thanë drejtën u frikova shumë, se i kisha lopët në stallë dhe u tuta mos po sulmojnë”, vazhdon ai. “Po, tu bërtit, ikën. Qenin ma lënduan po shyqyr shpëtoi”. Florim Tahiri është banor i fshatit Hajkobillë të komunës së Prishtinës, në rajonin e Gollakut, në afërsi të kufirit me Serbinë. “Kurrë nuk e maj mend qe ka pasur më shumë ujq se tash”, thotë Tahiri, i cili jeton në këtë vend dhe ka edhe një fermë të vogël me gjedhe. Tahiri nuk është personi i vetëm i shqetësuar në lidhje me shfaqjen e shpeshtë të grupeve të ujqve në këtë zonë. Nezir Rexhepi, banor i fshatit Dabishevc, i cili e ka shtëpinë 500 metra nga vija kufitare, thotë se ujqit vijnë afër shtëpisë natën. “S’po guxoj as në qytet me dalë e me më nxanë terri, me i lanë fëmijët vetëm”, thotë Rexhepi. “Shumë shpesh duhet me u zgju në mes të natës e me lëshu ndonjë fishekzjarr që me i frikësu ujqit, po tash janë bërë njëjtë as nuk po tuten”. Menaxheri i Shoqatës së Gjuetarëve të Gollakut, Isak Sahiti, thotë se në këtë zonë situata nuk është alarmante, por prapë, shton ai, numri i ujqve është më i madh në krahasim me fshatrat tjera të Gollakut. “Ato fshatra janë në kufi dhe ujqit kanë mundësi me lëvizë nga Serbia në Kosovë e anasjelltas, dhe ne si shoqatë e gjuetarëve nuk kemi të drejtë me dalë në atë anë me gjuajt me armë”, tregon Sahiti. “Është e ndaluar nga policia pasi është zonë kufitare”. Kryetari i bashkësisë lokale që përfshin tri katundet Dabishefc, Hajkobillë dhe Gllogovicë, Ejup Hyseni, thotë se është normale që banorët të kenë këtë shqetësim. “Ata kanë fëmijët e tyre në shkollë dhe iu bie të udhëtojnë”, thotë Hyseni. “Për në Dabishec dhe në Hajkobillë nuk ka as autobusë dhe njerëzit duhet të ecin. Paramendojeni çka kish mundur të ndodhë nëse ndonjëri nga nxënësit qëllon në grup ujqish në mbrëmje?”. Sipas Isak Sahitit nga shoqata e gjuetarëve, duhet të mirren veprime që të mbahet situata nën kontroll. “Është zonë malore, ka shumë pak shtëpi dhe shumica e tyre janë afër malit”, thotë Sahiti.